30 vjet bashkepunim Gjermani – Shqiperi

 

Mirëmbrëma!

E nderuar Ambasadore,

Të nderuar pjesëmarrës!

Patjetër që për mua është një event i veçantë që të marr pjesë dhe ta përshëndes 30 vjetorin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe një ditë e mirë, e duhur për të reflektuar në mbështetjen që Gjermania na ka dhënë dhe na ka shoqëruar që në ditë të vështira të viteve `88, `89, `90, e më pas na ka ndihmuar e na ka mbështetur për të kaluar ditë të vështira, si ajo që iu referua Ambasadorja, në `97-tën dhe të na shoqërojë sot, në ditë më të mira kur jemi duke vrapuar për të marrë negociatat dhe jemi duke vrapuar për të thelluar të gjitha reformat, dhe reformën në drejtësi së bashku.

Gjermania është mik dhe aleat tepër i rëndësishëm për Shqipërinë, një vend që në historinë e zhvillimin ekonomik, politik dhe social të vendit tonë, ka pa dyshim një kontribut tejet të veçantë. Ky i sotmi është një moment tjetër historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të antarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse nuk jemi akoma vend anëtar.

Unë gjej rastin, Ambasadore dhe të dashur pjesëmarrës, nëpërmjet këtij podiumi dhe kësaj dite, të falënderoj Gjermaninë dhe Kancelaren Merkel në këtë proces që për ne përfaqëson jetësimin e një ëndrre të vjetër të çdo qytetari shqiptar.

Unë dua të ndaj me ju një moment shumë interesant që do mbetet në memorie të historisë time jetësore dhe administrative, takimin e parë, ku pata fatin të jem, kur shoqëroja Kryeministrin, ku Kancelarja e garantoi Kryeministrin Rama për mbështetjen për statusin e vendit kandidat tre vite më parë. Më besoni, kur kemi dalë nga ajo zyrë, mendja, shpirti dhe zemra ishin plot dhe sërish dëshiroj t’ju falënderoj znj.Ambasadore, ta falënderoj vendin tuaj dhe Kancelaren për mbështetjen e vazhdueshme, intensive të fortë në favor të Shqipërisë mbi të gjitha dhe të çdo qytetari shqiptar. 

Procesi i Berlinit është një tjetër investim i drejtpërdrejtë i Kancelares dhe Gjermanisë në rajonin tonë, si pikënisje e një etape të re në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, nxitjes së bashkëpunimit rajonal, përmirësimit të konektivitetit në energji, infrastrukturë, komunikim dhe rritjen e bashkëveprimit dhe shkëmbimeve mes vendeve tona në Ballkanin Perëndimor.  

Përgjatë këtyre 30 viteve, që nga viti 1988, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliardë Euro direkt,  siç edhe e dëgjuam qoftë nga filmi, qoftë nga Ambasadorja, dhe po kaq indirekt. 

Do të dëshiroja të vlerësoja rolin e zyrës së KFW dhe GIZ. Për mua janë shumë të dashur edhe si mbështetës, edhe si partnerë, që janë shumë aktiv në koordinimin e ndihmës së huaj duke marrë rolin e donatorit kryesor bilateral në shumë sektorë të zhvillimit të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e energjisë (që ne e pamë pak më parë); infrastrukturës ujore; arsimit dhe formimit profesional, e më vjen mirë Ambasadore që iu referove shkollës së Kamzës sepse e kemi si shembull; zhvillimi i zonave rurale dhe urbane; zhvillimi i turizmit; nxitja e SME-ve dhe përafrimi i aktiviteteve të fermerëve me standardet e Bashkimit Europian.

Disa nga projektet që kanë gjetur mbështetjen e vendit tuaj, që janë strategjike në fakt, kanë qenë: linja e tensionit të lartë Tiranë-Prishtinë dhe Tiranë-Maqedoni; fondi i investimeve sociale; siguria e digave; efiçensa e sektorit të energjisë, dhe këtu dua t`ju falënderoj edhe për grantin që keni dhënë për studentët dhe shtëpitë e studentëve; zhvillimi ekonomik-rajonal; promovimi i punësimit dhe trajnimi i arsimimit profesional; zhvillimet e infrastrukturës ujore në disa nga bashkitë kryesore. Shumë pak bashki kanë ngelur akoma pa u prekur nga ndihma juaj e drejpërdrejtë në këtë sektor. Vetëm në dy vitet e fundit, 2016-2017, janë mbi 100 milionë Euro financime për mbështetjen e programeve të ndryshme zhvillimore në vend.

Gjermania është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me një volum shkëmbimesh në masë 464 milionë Euro në vitin 2017.

Janë mbi 190 kompani gjermane prezente në ekonominë shqiptare. Këtu dua të përmend disa histori suksesi, disa prej tyre i kam ndjekur edhe personalisht vetë për të investuar në Shqipëri, si rasti i Forchner Albania, që tashmë po zgjerohet me fabrikën e dytë, apo emra të tjerë prestigjozë si Telekom Albania apo Tirana Bussines Park.

Sigurisht që, një sfidë e kemi kur vjen fjala për te investimet e huaja. Stoku i investimeve të huaja gjermane në Shqipëri, në fund të vitit 2017 është vetëm 116 milionë Euro. Pra, kemi një hapsirë të pafudme për të zgjeruar investimet gjermane. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, e jona, për të bërë të mundur që vendi dhe sektorët të jenë atraktivë për kompanitë gjermane.

Gjermania për ne është një vend i madh dhe një partner i rëndësishëm por, mbi të gjitha, është burim lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të të gjithë rajonit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ju falënderoj edhe një herë dhe ju uroj suksese në punën tuaj, në punën tonë të përbashkët dhe faleminderit për çdo gjë që keni bërë për Shqipërinë, për qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!

Mbështetja suedeze në Shqipëri. Ahmetaj – Jamtim, “Nga 1 prilli, projekti I vlerësimit të pronës me vlerën e tregut

Ministri Ahmetaj takohet me Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), znj. Carin Jämtin

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, z. Arben Ahmetaj, priti sot në një takim Drejtoreshën Ekzekutive të Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (SIDA), znj. Carin Jämtin, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.

Gjatë takimit, palët diskutuan mbi bashkëpunimin e deritanishëm mes qeverisë shqiptare dhe SIDA, duke vënë theksin në disa nga projektet kryesore të financuara nga SIDA në Shqipëri.

Ministri Ahmetaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Suedia ka dhënë për Shqipërinë, në aspektin politik dhe në atë të zhvillimit ekonomik e social të vendit tonë. Mes dy vendeve ka shumë potencial të pashfrytëzuar dhe, në këtë drejtim, Ministri Ahmetaj ftoi sipërmarrjet dhe investitorët suedezë të vijnë në Shqipëri.

Nga ana e saj, Drejtoresha Ekezekutive e SIDA shprehu mbështetjen e Suedisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian çka, sipas saj, është edhe qëllimi kryesor i punës së Zyrës së SIDA-s në Tiranë. Në këtë kuadër, ajo theksoi rëndësinë e veçantë të reformës në drejtësi.

Deklarata e Ministrit Ahmetaj pas takimit:

Përshëndetje,

Sot pata kënaqësinë të mirëpres znj. Carin Jämtin, Drejtore e Përgjithshme e Agjensisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA) dhe delegacionin që e shoqëron në vizitën në Tiranë.

Gjej rastin të shpreh edhe publikisht mirënjohjen e qeverisë shqiptare për mbështetjen e Suedisë, qoftë në aspektin politik, qoftë sa i takon zhvillimit ekonomik e social të vendit. Këtu dua të veçoj posaçërisht ndihmën për reformën administrative territoriale dhe projektin e “Ngritjes së Sistemit të Vlerësimit të Pronës mbi Bazën e Vlerës së Tregut”, apo siç i referohemi ndryshe “Kadastra Fiskale”, për të cilin disa ditë më parë, nënshkruam edhe një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësuesin e SIDA, z. Lars Leijkvist.

Instrumenti kryesor për konkretizimin e ndihmës zhvillimore suedeze në vendin tonë është veprimtaria e Agjencisë Suedeze të Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar (SIDA), e cila bazohet në strategjinë e miratuar për periudhën 2014-2020. Kjo strategji parashikon financime vjetore në masën rreth 80 milionë korona suedeze, pra rreth 9 milionë euro.

Sigurisht që Suedia ofron asistencë teknike dhe një sërë programesh të tjera trajnimi, të cilat janë ndihmesë e jashtëzakonshme për implementimin me sukses të reformave dhe projekteve të lidhura me to.

Në aspektin e shkëmbimeve tregtare, shifrat janë akoma modeste por gjithsesi në rritje.

Në vitin 2017, tregtia midis vendeve arriti në 31.7 milionë euro me një rritje në masën 56 % krahasuar me vitin 2016. Eksportet me Suedinë ishin rreth 19 milion euro dhe importet nga Suedia rreth 13 milion euro.

Mallrat kryesore të importuara nga Suedia janë mjete transporti, mjete pune, lëndë drusore apo medikamente.

Ndërsa, Shqipëria eksporton kryesisht veshje, ferro-lidhje apo gaze të naftës; etj.

Në Shqipëri zhvillojnë aktualisht, duke iu referuar marsit të vitit 2018, një numër prej 20 ndërmarrje aktive suedeze në sektorin e tregtisë me shumicë e pakicë, industrisë përpunuese dhe shërbimeve, bujqësi pyje peshkim, megjithatë kapitali i investuar është akoma i ulët.

Ka patjetër shumë potencial të pa shfrytëzuar mes dy vendeve. Një nga shiftrat që ia vlen të përmendet është rritja, gati dyfishimi vit pas viti, i numrit të turistëve suedezë në Shqipëri. Është rritur nga 10 mijë në 25 mijë numri i qytetarëve suedezë të ardhur nëpërmjet agjencive. Pra, siç e shikoni, tërheqja që kanë vendet e Evropës veriore, në rastin konkret Suedia, për turizmin shqiptar tregohet në numra gjithmonë e në rritje.

Siç e theksova, ka patjetër shumë potencial të pashfrytëzuar midis dy vendeve. Ky është një moment shumë i mirë për ekonominë shqiptare, më një sërë nismash që janë ndërmarrë apo ndërmerren, si reforma e deregulimit për lehtësimin e klimës së biznesit, apo edhe incentivat fiskalë në sektorë të rëndësisshëm si turizmi dhe industritë e teknologjisë së Informacionit. Janë mundësi që duhen shfrytëzuar nga sipërmarrjet dhe investitorët suedezë, ndaj unë përfitoj nga ky komunikim që të ripërsëris edhe njëherë ftesën time.

Nga ana tjetër, kjo është një stinë shumë e rëndësishme edhe në aspektin politik, ku ne presim shumë shpejt hapjen e negociatave me Bashkimin Europian dhe duke e vlerësuar mbështetjen e Suedisë në të gjitha hapat e procesit integrues të Shqipërisë në BE, jemi të bindur që do të vazhdojmë ta kemi atë edhe në kuadër të diskutimeve për hapjen e negociatave. Është një sfidë për të cilën Shqipëria është tashmë e përgatitur ta përballojë.

Dhe për ta mbyllur, siç e theksova, projekti më aktual dhe i drejtpërdrejtë i lidhur me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë është ai i kadastrës fiskale. Ne kemi bërë një progres shumë të mirë në ngritjen dhe përgatitjen e sistemit, edhe me ndihmën e ekspertëve suedezë dhe siç e dini, nga data 1 prill do të jemi gati për të implementuar metodoligjinë e re të përllogaritjes së vlerës së taksës së pronës mbi bazën e vlerës së tregut.

Ekspertët suedezë kanë një eksperiencë të thellë dhe në rajon me kadastrën fiskale. Kanë ndihmuar Kosovën për ta ngritur dhe për ta kthyer në të sukseshshme. Jam i bindur që puna e përbashkët do të ketë edhe në Shqipëri sukses.

Ju falënderoj për vizitën.

Faleminderit