Mirëmbrëma!

E nderuar Ambasadore,

Të nderuar pjesëmarrës!

Patjetër që për mua është një event i veçantë që të marr pjesë dhe ta përshëndes 30 vjetorin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe një ditë e mirë, e duhur për të reflektuar në mbështetjen që Gjermania na ka dhënë dhe na ka shoqëruar që në ditë të vështira të viteve `88, `89, `90, e më pas na ka ndihmuar e na ka mbështetur për të kaluar ditë të vështira, si ajo që iu referua Ambasadorja, në `97-tën dhe të na shoqërojë sot, në ditë më të mira kur jemi duke vrapuar për të marrë negociatat dhe jemi duke vrapuar për të thelluar të gjitha reformat, dhe reformën në drejtësi së bashku.

Gjermania është mik dhe aleat tepër i rëndësishëm për Shqipërinë, një vend që në historinë e zhvillimin ekonomik, politik dhe social të vendit tonë, ka pa dyshim një kontribut tejet të veçantë. Ky i sotmi është një moment tjetër historik për Shqipërinë, në raport me perspektivën tonë të antarësimit në familjen europiane, ku natyrshëm ne i përkasim në çdo ditë të jetës sonë Bashkimit Europian dhe pse nuk jemi akoma vend anëtar.

Unë gjej rastin, Ambasadore dhe të dashur pjesëmarrës, nëpërmjet këtij podiumi dhe kësaj dite, të falënderoj Gjermaninë dhe Kancelaren Merkel në këtë proces që për ne përfaqëson jetësimin e një ëndrre të vjetër të çdo qytetari shqiptar.

Unë dua të ndaj me ju një moment shumë interesant që do mbetet në memorie të historisë time jetësore dhe administrative, takimin e parë, ku pata fatin të jem, kur shoqëroja Kryeministrin, ku Kancelarja e garantoi Kryeministrin Rama për mbështetjen për statusin e vendit kandidat tre vite më parë. Më besoni, kur kemi dalë nga ajo zyrë, mendja, shpirti dhe zemra ishin plot dhe sërish dëshiroj t’ju falënderoj znj.Ambasadore, ta falënderoj vendin tuaj dhe Kancelaren për mbështetjen e vazhdueshme, intensive të fortë në favor të Shqipërisë mbi të gjitha dhe të çdo qytetari shqiptar. 

Procesi i Berlinit është një tjetër investim i drejtpërdrejtë i Kancelares dhe Gjermanisë në rajonin tonë, si pikënisje e një etape të re në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, nxitjes së bashkëpunimit rajonal, përmirësimit të konektivitetit në energji, infrastrukturë, komunikim dhe rritjen e bashkëveprimit dhe shkëmbimeve mes vendeve tona në Ballkanin Perëndimor.  

Përgjatë këtyre 30 viteve, që nga viti 1988, Gjermania e ka mbështetur Shqipërinë me më shumë se 1 miliardë Euro direkt,  siç edhe e dëgjuam qoftë nga filmi, qoftë nga Ambasadorja, dhe po kaq indirekt. 

Do të dëshiroja të vlerësoja rolin e zyrës së KFW dhe GIZ. Për mua janë shumë të dashur edhe si mbështetës, edhe si partnerë, që janë shumë aktiv në koordinimin e ndihmës së huaj duke marrë rolin e donatorit kryesor bilateral në shumë sektorë të zhvillimit të ekonomisë, duke përfshirë sektorin e energjisë (që ne e pamë pak më parë); infrastrukturës ujore; arsimit dhe formimit profesional, e më vjen mirë Ambasadore që iu referove shkollës së Kamzës sepse e kemi si shembull; zhvillimi i zonave rurale dhe urbane; zhvillimi i turizmit; nxitja e SME-ve dhe përafrimi i aktiviteteve të fermerëve me standardet e Bashkimit Europian.

Disa nga projektet që kanë gjetur mbështetjen e vendit tuaj, që janë strategjike në fakt, kanë qenë: linja e tensionit të lartë Tiranë-Prishtinë dhe Tiranë-Maqedoni; fondi i investimeve sociale; siguria e digave; efiçensa e sektorit të energjisë, dhe këtu dua t`ju falënderoj edhe për grantin që keni dhënë për studentët dhe shtëpitë e studentëve; zhvillimi ekonomik-rajonal; promovimi i punësimit dhe trajnimi i arsimimit profesional; zhvillimet e infrastrukturës ujore në disa nga bashkitë kryesore. Shumë pak bashki kanë ngelur akoma pa u prekur nga ndihma juaj e drejpërdrejtë në këtë sektor. Vetëm në dy vitet e fundit, 2016-2017, janë mbi 100 milionë Euro financime për mbështetjen e programeve të ndryshme zhvillimore në vend.

Gjermania është një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me një volum shkëmbimesh në masë 464 milionë Euro në vitin 2017.

Janë mbi 190 kompani gjermane prezente në ekonominë shqiptare. Këtu dua të përmend disa histori suksesi, disa prej tyre i kam ndjekur edhe personalisht vetë për të investuar në Shqipëri, si rasti i Forchner Albania, që tashmë po zgjerohet me fabrikën e dytë, apo emra të tjerë prestigjozë si Telekom Albania apo Tirana Bussines Park.

Sigurisht që, një sfidë e kemi kur vjen fjala për te investimet e huaja. Stoku i investimeve të huaja gjermane në Shqipëri, në fund të vitit 2017 është vetëm 116 milionë Euro. Pra, kemi një hapsirë të pafudme për të zgjeruar investimet gjermane. Është përgjegjësi e qeverisë shqiptare, e jona, për të bërë të mundur që vendi dhe sektorët të jenë atraktivë për kompanitë gjermane.

Gjermania për ne është një vend i madh dhe një partner i rëndësishëm por, mbi të gjitha, është burim lidershipi për ecurinë e qëndrueshme të të gjithë rajonit në rrugën drejt Bashkimit Europian.

Ju falënderoj edhe një herë dhe ju uroj suksese në punën tuaj, në punën tonë të përbashkët dhe faleminderit për çdo gjë që keni bërë për Shqipërinë, për qytetarët shqiptarë.

Faleminderit!